Tani që po shkruaj këtë material, libri i tretë është ende në fazën e planifikimit. Ai do të synojë t’u drejtohet kritikave të shumta e të pandershme dhe shpifjeve të paturpshme kundër muslimanëve dhe fesë islame. Tema të tilla si: poligamia, skllavëria, racizmi, mbulesa e femrave, shtypja e grave, terrorizmi, “fondamentalizmi”, idhujtaria dhe të tjera si këto, do të trajtohen me të njëjtën metodologji, si ajo që kam përdorur tek libri me titull “Urdhri i parë dhe i fundit”. Pra, kjo seri librash është menduar në mënyrë të tillë, që ta tregojë fenë islame si shpalljen e fundit dhe si përmbushjen e parashikimeve të shkrimeve të shenjta çifute e të krishtere (në librin e parë), të sugjerojë si të praktikohet feja islame (në librin e dytë), si dhe t’i sigurojë muslimanit të formuar mbrojtjen nga shpifjet që bëhen më shpesh kundër Islamit (në librin e tretë). Muslimanët vënë re shpesh, se të kthyerit në fenë islame, kalojnë përmes disa fazave të rritjes ideologjike, shpirtërore dhe psikologjike, përpara se të arrijnë një fasadë të pjekurisë fetare. Periudha e pjekurisë ndryshon nga një individ te tjetri, njësoj si rezultati përfundimtar. Ka muslimanë që shfaqin një pjekuri fetare të madhe qysh në fëmijëri; ka të tjerë që e jetojnë në mosha të mëdha përmbysjen dramatike të pikëpamjeve të tyre. Shembuj të mirënjohur në këtë drejtim janë Imam El-Gazaliu i famshëm në shekullin XI (emri i plotë - Abu Haamid Muhammad Al-Ghazali ) që e mohoi sufizmin ekstrem në moshë tepër të shtyrë, apo El-Esh’ariu në shekullin X (emri i plotë - Abu Al-Hasan ‘ Ali ibn Ismaa’eel al-Ash’aree, të cilit i vishet doktrina Esharite), që hoqi dorë nga gabimet e tij në akide, duke qenë dhe ai në moshë të thyer. Shembulli më i mirë në këtë drejtim në historinë e kohëve moderne është kalimi i Malkom X-it nga kulti politiko-ideologjik racist, që njihej me emrin “Kombi Islam”, tek Islami (Suni) - E PRANOVA ISLAMIN, POR… Ç’ TË BËJ MË TEJ…?